Macron-i: Vendet perëndimore nuk arritën konsensus për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë
2024-02-27 21:04:48

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha të hënën se liderët e vendeve perëndimore diskutuan po atë ditë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, por nuk arritën unanimitet në fazën e tanishme. Megjithatë, ata miratuan shpejtimin e furnizimit me armë dhe municione për Ukrainën.

Në pikënisjen e vitit të tretë të krizës së Ukrainës, zyrtarët perëndimorë pohojnë se aktualisht ushtrisë ukrainase i mungojnë armët e municionet dhe trupat, ndërsa ushtria ruse ka epërsi.

foto nga CFP

Liderët e mbi 20 vendeve evropiane zhvilluan të hënën në Paris një mbledhje mbi përkrahjen ndaj Ukrainës, ku përveç presidentit francez, morën pjesë edhe sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, si dhe përfaqësues të ShBA-së dhe Kanadasë.

Në një konferencë shtypi pas mbledhjes, Macron-i tha që, pavarësisht se nuk arritën konsensus mbi dërgimin e trupave në Ukrainë, nuk përjashtohet asnjë mundësi me ndryshimin e situatës. “Do të përpiqemi të sigurojmë që Rusia të mos e fitojë këtë luftë,” theksoi ai.

foto nga CFP

Macron-i vuri në dukje gjithashtu se për luftën në Ukrainë Evropa nuk duhet të varet nga ShBA-ja, por duhet të "aktivizojë" përkrahjen ndaj Ukrainës. "Kemi parë që pala ruse është bërë gjithnjë e më e fortë, veçanërisht gjatë disa muajve të kaluar," shtoi ai.

Presidenti francez propozoi që vendet perëndimore të formojnë një front të ri të përbashkët ndërkombëtar, që të "mobilizojnë" më tej vendet që i kanë mundësitë ta furnizojnë Ukrainën me "raketa me rreze të mesme dhe të gjatë për goditje në brendësi". (Wang Lei/ Artan)