Kongresi Botëror i Telefonisë së Lëvizshme 2024 hapet me fokus në risitë AI e 5G+6G
2024-02-27 21:00:35

Vizitorët provojnë pajisjet e Realitetit Virtual (VR) gjatë edicionit të Kongresit Botëror të Telefonisë së Lëvizshme (MWC) 2024 në Barcelonë të Spanjës, 26 shkurt 2024. / Xinhua 

Edicioni i vitit 2024 i Kongresit Botëror të Telefonisë së Lëvizshme (MWC), panairit tregtar kryesor në shkallë globale për teknologjinë e telefonisë së lëvizshme dhe industritë e lidhura me të, u hap të hënën në Barcelonë të Spanjës.

Përdorimet e inteligjencës artificiale (AI) nëpërmjet pajisjeve dhe rrjeteve, përparimet në teknologjitë 5G e 6G, si edhe shtimi i ndërlidhjes, do të jenë midis temave kryesore në veprimtarinë e sivjetshme. 

MWC e këtij viti përqendrohet në konceptin "E ardhmja e para", duke theksuar rëndësinë e bashkimit të industrive, kontinenteve, teknologjive dhe komuniteteve për të realizuar potencialin e së ardhmes. 

Shoqata GSM (GSMA), organizuesja e veprimtarisë, pret që rreth 95 000 vizitorë nga e gjithë bota të marrin pjesë në këtë kongres krahasuar me 88 500 të regjistruar vitin e kaluar. GSMA është një grup industrial që përfaqëson operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare në botë.

Vizitorë në pavijonin "Dimensity Auto" në Kongresin Botëror të Telefonisë së Lëvizshme të edicionit të vitit 2024 në Barcelonë të Spanjës, 26 shkurt 2024. / Xinhua 

Në fjalimin e tij të hapjes, drejtori i përgjithshëm i GSMA-së, Mats Granryd, theksoi nevojën për t'u përshtatur me sfidat dhe mundësitë. "Së bashku jemi të fortë dhe vetëm jemi askush," u shpreh ai. 

Vizitorë në pavijonin e kompanisë kineze "China Mobile" në Kongresin Botëror të Telefonisë së Lëvizshme të edicionit të vitit 2024 në Barcelonë të Spanjës, 26 shkurt 2024. / Xinhua

Në edicionin e sivjetshëm të MWC  ka afro 2 400 ekspozues dhe 1 100 folës, duke përfshirë rreth 300 kompani kineze, të tilla si "China Mobile", "China Telecom", "Huawei", ZTE, "Lenovo", "Xiaomi" dhe "iFlytek".

 Operatorët kinezë po shfrytëzojnë mundësitë e reja të marrëdhënieve ndërmjet bizneseve, me shërbimet e tyre që shkojnë përtej telekomunikacionit bazë tradicional, u shpreh Granryd.

Veprimtaria do të mbyllet të enjten. (Artan)