Kryediplomati shqiptar merr pjesë në takimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë
2024-02-27 11:11:48

Ministri Hasani (Foto Rtsh)

Ministri Hasani (Foto Rtsh)

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në Gjenevë, për takimin e nivelit të lartë të Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ). Shqipëria merr pjesë në takim si vend anëtar i KDNJ-së me një mandat 3-vjeçar 2024-2026.

Kjo është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Ministri Hasani do të japë mesazhin e tij në emër të Shqipërisë në takimin e posaçëm të Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, ministri Hasani do të pritet edhe nga Komisioneri i Lartë i OKB-së i të Drejtave të Njeriut. (Fatosi)