Këtë vit pritet të realizohet për herë të parë vlerësimi i kërkesës dhe ofertës për punëtorë
2024-02-26 15:10:21

Nevoja për fuqi punëtorë, jo vetëm në Shqipëri, por në pothuajse të gjitha shtetet europiane po bëhet një nevojë emergjente.

Shqipëria pritet të realizojë për herë të parë këtë vit vlerësimin e nevojave për aftësi, duke mbledhur informacion nga biznesi për të kuptuar se cilat janë kërkesat e tij, bazuar në vendet e lira të punës.

Zëvendësministrja e Financave, Olta Manjani, deklaroi për “RTSH” se ky vlerësim do të ketë qendërzim të informacionit për shpalljen e vendeve të reja të punës. Kjo përfshin edhe kompanitë private që bëjnë rekrutime dhe shpallin vende të reja të punës.

Sot, qeveria shqiptare realizon gjurmimin në nivel kombëtar të të diplomuarve e të certifikuarve në arsim dhe formim professional, duke vlerësuar cilësinë e arsimit e formimit professional, për të mundësuar lidhjen e aftësive me kërkesat e tregut të punës.

Sipas zv.ministres Manjani, 6 në 10 nxënës të arsimit profesional punësohen para diplomimit, ndërsa në Shqipëri funksionojnë 35 shkollat profesionale në të gjithë vendin. (Irma)