Shqipëri - Synohen rreth 1000 njësi agroturistike deri në vitin 2030
2024-02-26 12:10:52

Agroturizmi (Foto Rtsh)

Ekspertët thonë se braktisja e zonave rurale në Shqipëri mund të frenohet përmes agroturizmit.

Shpresim Domi, ekspert dhe pedagog në Universitetin Bujqësor në Tiranë, deklaroi në një intervistë për “RTSH”-në se rivitalizimi i zonave dhe aktivizimi i njerëzve me punë rrit nivelin e punësimit, intensitetin e punimit të tokës djerrë dhe standardin e mirëqenies së zonave rurale.

Sipas tij, prej 2018-s, kur u ndërtua dhe korniza ligjore, në Shqipëri ka një konsolidim të agroturizmit aq sa është kthyer dhe në një nga pikat më të forta të numrit më të madh të turistëve ne 2023.

“Në të gjithë Shqipërinë ka mbi 200 subjekte agroturistike, por ende ka një nivel të caktuar informaliteti”,- tha eksperti.

Në janar, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit hodhi për konsultim publik “Strategjinë Kombëtare të Agroturizmit”, objektivi i së cilës është vënia në punë e të paktën 1000 njësive agroturistike deri në 2030.  (Fatosi)