Kryeministri malajzian kritikon "fobinë ndaj Kinës"
2024-02-26 20:58:18

Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim duke folur në një veprimtari gjatë Samitit të CEO-ve të APEC-ut në San-Francisko, 15 nëntor 2023. / CFP

Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim ka dënuar të ashtuquajturën "fobi ndaj Kinës" prej Shteteve të Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj perëndimorë, njoftoi gazeta "Financial Times" (FT) me qendër në Londër. 

Në përgjigje të kritikave të ShBA-së ndaj lidhjeve të vendit të tij me Kinën, Anwar-i shtroi pyetjen se përse Malajzia duhej "të zgjidhte të grindej" me Kinën, partneren e vet më të madhe tregtare, sipas raportit të publikuar të dielën në uebsajtin e FT-së. 

"Pse duhet të jem i lidhur me interesin e dikujt? Nuk e pranoj këtë paragjykim të fortë kundër Kinës, këtë fobi ndaj Kinës," tha ai në një intervistë për FT-në në Penang, vendin e lindjes së tij në Malajzinë Veriore.

Sipas raportit, Anwar-i u shpreh se ai i tha zëvendëspresidentes së ShBA-së Kamala Harris: "Ne jemi një vend i vogël që luftojmë për të mbijetuar në një botë komplekse... Unë dua të përqendrohem në atë që është më e mirë për ne," vuri në dukje ai. 

Anwar-i e mori detyrën si kryeministër i Malajzisë në nëntor 2022. Duke e quajtur Kinën një fqinje të rëndësishme, Anwar-i ka thënë se qeveria e tij do t'u japë përparësi forcimit të marrëdhënieve me Kinën në tregti, investime dhe kulturë. 

Kryeministri malajzian theksoi se roli i Kinës është vendimtar në përfitimet ekonomike për popullin e Malajzisë. (Artan)