Zelensky: Kundërmësymja e re varet nga vijimi i ndihmave të Perëndimit
2024-02-26 21:17:12

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky tha të dielën se dështimi i kundërmësymjes së vjetshme të Ukrainës u shkaktua nga "rrjedhja" e planit dhe se pala ukrainase po përgatitet për planin e ri të kundërmësymjes. Ai ritheksoi se "fitorja" e Ukrainës varet nga vazhdimi i ndihmave të Perëndimit, duke shtuar se Kongresi i ShBA-së duhet të marrë vendim brenda një muaji mbi ndihmën ndaj Ukrainës me vlerë prej 60 miliardë dollarësh amerikanë.

Në një konferencë shtypi me rastin e nisjes së vitit të tretë të veprimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Zelensky foli për situatën e luftës, i kërkoi ndihmë Perëndimit dhe bëri thirrje për solidaritet.

foto nga CFP

Sipas presidentit ukrainas, plani i vjetshëm i kundërmësymjes i Ukrainës u vu në tryezën e Kremlinit para zbatimit të tij. Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, kjo është hera e parë që Zelensky e pohon se pala ruse e mori që përpara planin e kundërmësymjes të ushtrisë ukrainase. 

Në konferencën e shtypit, Zelensky bëri të ditur se gjatë dy vjetëve të kaluar, Ukraina ka humbur 31 mijë ushtarakë. Kjo është hera e parë që pala zyrtare ukrainase shpall numrin e të vdekurve gjatë luftës. Ndërkohë, ai pretendoi se ushtria ruse ka humbur 180 mijë ushtarakë.

Zelensky tha se nuk do të bëjë të ditur numrin e të plagosurve, përndryshe pala ruse do të marrë vesh se sa ushtarë ukrainas kanë lënë fushëbetejën.

foto nga CFP

Varreza e ushtarakëve të vdekur gjatë luftës në Charkiu të Ukrainës, 26 shkurt 2024 /foto nga CFP

Sipas agjencisë "Reuters", të dyja palët e mbulojnë shpesh numrin e të vdekurve dhe të të plagosurve e njëkohësisht i zmadhojnë humbjet e palës tjetër.

Zelensky shprehu shpresën se në pranverën e këtij viti do të zhvillohet në Zvicër Samiti i parë për Paqen në Ukrainë. Sipas tij, "viti i tretë do të jetë një pikë kthese, pasi këtë vit do të ketë shumë zgjedhje", duke përfshirë zgjedhjet presidenciale të ShBA-së. "Si të përfundojë kjo luftë, kjo do të varet nga sivjet," theksoi ai. (Wang Lei/ Artan)