Perëndimi premton mbështetje për Ukrainën
2024-02-26 12:37:02

Meloni-Zelensky-von der Leyen (Foto Rtsh)

Kryeministrat e Italisë dhe Kanadasë nënshkruan një marrëveshje sigurie me Ukrainën, njofton “RTSH”.

Pas sukseseve fillestare në zmbrapsjen e ushtrisë ruse, Ukraina ka pësuar pengesa kohët e fundit në fushat e betejës lindore, me gjeneralët e saj që ankohen për mungesë në rritje të armëve dhe ushtarëve.

Duke kërkuar të largojë shqetësimet se Perëndimi po humbet interesin për konfliktin, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ai kanadez Justin Trudeau i Kanadasë vizituan Kievin së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrin belg, Alexander De Croo, për të shprehur vijimin e mbështetjes së tyre.

“Mesazhi që dua t'i dërgoj popullit ukrainas është se ata nuk janë vetëm. Dua që ju të dini se ne jemi thellësisht mirënjohës”,- deklaroi Meloni, ndërsa nënshkroi paktin 10-vjeçar të mbrojtjes me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Edhe kryeministri kanadez Trudeau nënshkroi një marrëveshje të ngjashme dhe premtoi rreth 2.25 miliardë dollarë mbështetje financiare dhe ushtarake këtë vit për Ukrainën.

“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën me gjithçka që duhet, për aq kohë sa të duhet”,- tha Trudeau.

“Çdo njeri normal dëshiron që lufta të përfundojë. Por askush nga ne nuk do të lejojë që Ukraina të humbasë. Fjala “i pavarur” do të qëndrojë gjithmonë pranë fjalës “Ukrainë” në historinë e ardhshme”,- deklaroi Zelenskiy, raporton “Reuters”.

Marrëveshjet e sigurisë, si ajo italiane dhe ajo kanadeze, janë të ngjashme me ato të Francës dhe Gjermaninë të nënshkruara së fundi. (Fatosi)