Qeveria pritet të shtojë kategoritë përfituese falas të fishave të diabetit
2024-02-26 12:27:11

Diabeti (Foto Rtsh)

Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se qeveria do të shtojë kategoritë përfituese të fishave të diabetit falas brenda vitit 2024.

“Lajmi i mirë është se po punojmë që brenda vitit 2024 të shtojmë kategoritë, të cilat do të përfitojnë fishat e diabetit falas”,- shkroi ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Aktualisht në Shqipëri janë rreth 54 mijë të sëmurë me diabet që mbështeten nga qeveria dhe MSHMS-ja për ndjekjen dhe ecurinë e sëmundjes.

Sipas ministres Koçiu, përfitimi falas i fishave të diabetit mundësohet edhe për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç.

Ministrja nënvizoi se me kontrollin mjekësor bazë falas mbështeten qytetarët e moshës 35 deri në 70 vjeç për diagnostikimin e hershëm të diabetit. (Fatosi)