Britani-BE, marrëveshje për ndalimin e emigracionit përmes La Manshit
2024-02-25 18:01:09

Anije emigrantesh (Foto Atsh)

Anije emigrantesh (Foto Atsh)

Mbretëria e Bashkuar dhe agjencia kufitare e BE-së, Frontex, do të bashkëpunojnë për të ndaluar varkat që të kalojnë Kanalin e La Manshit.

Në bazë të marrëveshjes së firmosur mes palëve, Forca Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar do të bashkëpunojë më ngushtë me homologët e saj evropianë duke shkëmbyer informacione dhe duke bashkëpunuar në trajnime, teknologji të reja dhe operacione, shkruan “ATSH”.

“Krimi i organizuar i emigracionit dhe kontrabanda e njerëzve janë sfida globale që kërkojnë zgjidhje dhe ambicie të përbashkëta. Marrëveshja jonë historike e punës midis Britanisë dhe Frontex është një tjetër hap vendimtar në trajtimin e emigracionit të paligjshëm, sigurimin e kufijve tanë dhe ndalimin e anijeve”,- deklaroi sekretari i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Deri më tani këtë vit, 1716 persona e kanë kaluar La Manshin, krahasuar me 2720 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Irma)