Shqipëria e fundit në renditjen e studimit për besimin te shkenca
2024-02-25 18:20:22

Besimi te shkenca (Foto Panorama)

Besimi te shkenca (Foto Panorama)

Besimi te shkenca dhe shkencëtarët ishte në qendër të një studimi të afro 240 kërkuesve shkencorë nga vende të ndryshme të botës. Shqipëria renditet e fundit, krah Bolivisë dhe Kazakistanit, për besimin te shkencëtarët, shkruan “Panorama”.

Kërkuesja për Shqipërinë, Ani Bajrami, deklaroi se shkaqet lidhen me mangësitë në komunikimin e shkencëtarëve me publikun si dhe pjesëmarrjen e tyre të ulët në hartimin e politikave të ndryshme në vend me ndikim në jetën shoqërore.

Qytetarët në këtë studim janë shprehur se do të donin një ndikim më të madh të shkencëtarëve për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së shëndetit.

Në një studim të drejtuar nga dy profesorë, dr. Viktoria Kologna dhe dr. Niels G. Mede, përkatësisht nga Universiteti i Harvardit dhe Zyrihut për besimin e publikut te shkenca dhe shkencëtarët, Shqipëria renditet e fundit për besimin te shkencëtarët. Studimi u shtri në 67 vende të botës dhe analizoi përgjigjet e afro 71 mijë e 500 individëve, ku me 1 pikë është vlerësimi më i ulët dhe 5 më i larti. Në rang botëror, besimi te shkencëtarët rezulton sipas këtij studimi 3.62.

Shqipëria renditet krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin e ulët te shkencëtarët. Nivelin më të lartë e kanë Egjipti dhe India. (Irma)