AKPA: Numri i të huajve me leje pune në Shqipëri është rritur me 18%
2024-02-25 17:30:38

Punesimet e huaja ne Shqiperi (Foto Panorama)

Punesimet e huaja ne Shqiperi (Foto Panorama)

Shtetasit nga Turqia dhe Bangladeshi kryesojnë punësimet e të huajve në Shqipëri për vitet 2022 dhe 2023. Vitin e kaluar, më tepër të huajt u punësuan në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, në ndërtim dhe në tregtinë e shitjeve me shumicë dhe pakicë, shkruan “Panorama”. Gjithsej, në vitin 2023 në vend kishte 9,825 të huaj, të pajisur me leje pune dhe vërtetime pune, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Krahasuar me vitin paraardhës, numri i tyre u rrit 18%. Në raport me 2018-n, numri i punëtorëve të huaj me leje apo vërtetime pune është shtuar 1,5 herë.

Për vitin 2023, në vend të parë është sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 1094 miratime punësimi, në vendin e dytë sektori i ndërtimit me 999 miratime, në vendin e tretë sektori i aktiviteteve të tjera të shërbimit me 985 miratime, në vendin e katërt sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë me 848 miratime dhe më pas sektori i industrive të tjera përpunuese me 788 miratime.

Për vitin 2023, të huajt me numrin me të lartë janë nga Turqia, Bangladeshi, Nepali, India dhe Itali. Gjatë vitit 2023 numri më i lartë i lejeve unike të miratuara ishte përgjatë muajit maj me përkatësisht 1,421 leje. (Irma)