Ekspertët ngrenë shqetësimin për uljen e popullsisë në Shqipëri
2024-02-25 17:23:36

Shpopullimi i Shqiperise (Foto Panorama)

Shpopullimi i Shqiperise (Foto Panorama)

Popullsia e Shqipërisë po ulet me rreth 20 mijë banorë në vit, sipas profesorit në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe ekspert i Kombeve të Bashkuara për çështjet e popullimit dhe të arsimit, Arjan Gjonçaj.

Gjatë një emisioni televiziv, cituar nga “Panorama”, Gjonçaj tha se arsyeja për zbrazjen e vendit nga qytetarët nuk është vetëm ulja e lindshmërisë, por emigracioni masiv, i cili si rezultat shkakton edhe uljen e lindjeve.

“Situata është dramatike. Shpopullimi i vendit është i qartë. Popullsia e vendit po ulet me rreth 20 mijë banorë në vit. Mendoj se popullsia mund të jetë më pak se 2.6 milionë banorë. Është një çështje e rëndësisë kombëtare dhe nuk ka qenë në politikat e qeverive.

Nga viti 1989, më shumë se 1/3 e popullsisë është larguar nga vendi, këto janë shifra të sakta. Pse po ndodh kjo nuk është thjesht rënia e lindshmërisë, por kryesisht është rritja e emigracionit dhe vazhdimësia e tij.

Shkaku është rritja e emigracionit, jo lindshmëria. Shpjegimi është shumë i thjeshtë. Duke emigruar njerëzit e moshës riprodhuese natyrisht influencojnë edhe nivelin e lindshmërisë”, - shpjegoi ai. (Irma)