Britania nis lëshimin e certifikatës së humbjes së fëmijës për të njohur pikëllimin e prindërve
2024-02-24 16:39:12

Rroba bebi (Foto In2wales)

Rroba bebi (Foto In2wales)

Prindërit në Britani që kanë përjetuar një humbje të shtatzënisë para javës së 24-t, prej së enjtes mund të aplikojnë për një certifikatë të humbjes së foshnjës. “Humbja e një fëmije mund të jetë një ngjarje jashtëzakonisht traumatike dhe futja e certifikatave për të pranuar zyrtarisht humbjen e jetës është një hap pozitiv drejt mbështetjes më të mirë të grave dhe prindërve të prekur”,- deklaroi sekretarja e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, Victoria Atkins, citon “Xinhua”.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, nisja e skemës së re ishte pjesë e përgjigjes së qeverisë ndaj një rishikimi të pavarur mbi humbjen e fëmijës gjatë shtatzënisë që u autorizua në vitin 2018.

Rishikimi i Humbjes së Shtatzënisë, i udhëhequr nga dy ekspertë, sugjeroi se duhet bërë më shumë për të ofruar kujdes dhe mbështetje për prindërit që përjetojnë një abort, shtatzëni ektopike, shtatzëni molare ose ndërprerje për arsye mjekësore.

Certifikatat nuk do të jenë të detyrueshme, që do të thotë se prindërit mund të kenë zgjedhjen se si duan ta menaxhojnë humbjen.

Prindërit që kanë përjetuar humbjen e foshnjës që nga shtatori 2018 dhe kanë jetuar në Angli që nga momenti i humbjes, mund ta aksesojnë falas shërbimin dhe të aplikojnë për një certifikatë online.

Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS), humbja e shtatzënisë gjatë 23 javëve të para, ose aborti spontan, është shumë më i zakonshëm, që ndodh në rreth një në tetë shtatzëni të njohura. (Irma)