Studimi zbulon efektet e rralla anësore nga vaksinat anti-Covid
2024-02-24 15:37:52

Vaksinat antiCovid (Foto Panorama)

Vaksinat antiCovid (Foto Panorama)

Një çrregullim neurologjik dhe inflamacion i palcës kurrizore janë dy nga efektet e vaksinës anti-Covid të zbuluara nga studiuesit që kanë punuar në studimin më të madh për sigurinë e vaksinës deri tani, shkruan “Panorama”.

Studimi i realizuar te mbi 99 milionë njerëzve nga Australia, Argjentina, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Zelanda e re dhe Skocia ka konfirmuar sa të rralla janë ndërlikimet nga vaksina, me studiuesit që konfirmuan se përfitimet e vaksinave anti-Covid prapë se prapë ua kalojnë rreziqeve, raportoi “The Guardian”.

Studiuesit, pjesë e Rrjetit Global për të Dhënat e Vaksinave, përdorën të dhëna shëndetësore në sistemet elektronike për të krahasuar normat e 13 sëmundjeve të trurit, gjakut dhe zemrës te njerëzit pasi morën vaksinën “Pfizer”, “Moderna” ose “AstraZeneca”, me shkallën që mund të pritej që këto sëmundje të ishin prezente në popullsinë para pandemisë.

Studimi konfirmoi me një nivel të lartë saktësie lidhjet e njohura mes vaksinave mRNA (Pfizer dhe Moderna) dhe efekteve të rralla anësore të miokarditit dhe perikarditit; sindromën Guillain-Barre (ku sistemi imunitar sulmon nervat) dhe trombozën e sinusit venoz cerebral (një lloj mpiksje gjaku në tru), si efekte të rralla anësore të lidhura me vaksinën “AstraZeneca”.

Por, një efekt i ri anësor e i rrallë, encefalomieliti akut - inflamacion dhe ënjtje në tru dhe palcë kurrizore, u identifikua në analizën e të dhënave si efekt i lidhur me vaksinën “AstraZeneca”. (Irma)