Fakulteti i Gjuhëve të Huaja bëhet me laboratorë të rinj dhe platformë interaktive për punësimin e studentëve
2024-02-24 16:41:02

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, përuruan në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja tre laboratorë të rinj, si dhe ngritjen e një platforme interaktive për punësimin e studentëve të këtij fakulteti, shkruan “RTSH”.

Një nga laboratorët, i ndërtuar falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), do të përdoret për ngritjen e infrastrukturës për programin e studimit bachelor në përkthimin e gjuhës së shenjave shqipe.

Dy laboratorët e tjerë digjitalë do të jenë po ashtu në shërbim të studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Këta laboratorë do të ndihmojnë në trajtimin e një kurrikule bashkëkohore të gjuhës së shenjave shqipe dhe ndërkombëtare, duke shtuar kapacitetet e mësuesve dhe përkthyesve të rinj. Për më tepër, ata do të mundësojnë zhvillimin e mësimit në distancë, duke përforcuar lidhjet mes studentëve dhe profesorëve.

Investimi në infrastrukturë shkencore është një hap i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të lehtësuar përpjekjet e kërkimit shkencor dhe për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës.

Kjo përfshin edhe ngritjen e një platforme të punësimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, platformë, e cila do të ndihmojë në lidhjen mes studentëve dhe kompanive për mundësi punësimi dhe zhvillim projektesh praktike. (Irma)