Ligji për Zonat e Mbrojtura, BE: Do të ndjekim zbatimin e dispozitave të reja ligjore
2024-02-24 14:57:43

Kuvendi i Shqiperise (Foto Rtsh)

Kuvendi i Shqiperise (Foto Rtsh)

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi pas miratimit në Kuvend të ligjit “Për zonat e mbrojtura”. Përmes një deklarate zyrtare, Delegacioni i BE-së bëri të ditur se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është e qartë. Sipas Zyrës së BE-së në Shqipëri, ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe Parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane, shkruan “ATSH”.

“Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së.

Delegacioni i BE-së bën të ditur se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. (Irma)