Kryeministri Rama: Jemi të parët në rajon për zonat e mbrojtura
2024-02-24 14:59:21

Zonat e Mbrojtura (Foto Atsh)

Zonat e Mbrojtura (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se me vizionin “Shqipëria 2030” dhe me vullnetin e palëkundur për ta bërë vendin një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, në 10 vitet e fundit është bërë një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe tashmë vendi renditet ndër të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura, shkruan “ATSH”.

Deklarata e kryeministrit Rama vjen pas reagimit zyrtar të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, ku thuhet se do ta ndjekin me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian. Ndryshimet e miratuara forcojnë bazën e rrugës ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”,- deklaroi kryeministri Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale dhe hartën me numrin e parqeve kombëtare në vendet e rajonit. (Irma)