SPAK-NCA, memorandumin mirëkuptimi për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Britani
2024-02-24 15:13:24

Spak-Britani (Foto Rtsh)

Spak-Britani (Foto Rtsh)

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare britanike kundër Krimit (NCA), Graeme Biggar, për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Britani, shkruan “RTSH”.

Sipas SPAK, ky memorandum shënon një hap për të rritur luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si jashtë ashtu edhe brenda vendit.

“Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është të institucionalizojë partneritetin e suksesshëm tashmë të vendosur midis SPAK dhe NCA, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik. Ky bashkëpunim thellohet dhe bëhet më i qëndrueshëm përmes këtij memorandumi, i cili do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.

Sipas deklaratës së Prokurorisë së Posaçme, ky memorandum parashikon angazhimin e të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Me anë të këtij memorandumi parashikohet gjithashtu që të goditen disa prej grupeve kriminale shqiptare më të fuqishme që operojnë në Britaninë e Madhe. (Irma)