Pronat e Donald Trump do të konfiskohen nëse nuk paguan borxhin për mashtrimin civil
2024-02-24 17:13:09

Kryeprokurorja e Nju Jorkut (Foto Rtsh)

Kryeprokurorja e Nju Jorkut (Foto Rtsh)

Donald Trump rrezikon të humbasë disa nga pronat e tij të çmuara nëse nuk do të mund të paguajë shumën marramendëse për mashtrimin civil në Nju Jork. 

Ish-presidenti amerikan i detyrohet shtetit gati 454 milionë dollarë dhe shuma rritet me 87.502 dollarë çdo ditë derisa të paguajë, shkruan “RTSH”.

Kryeprokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, deklaroi në një intervistë televizive se ajo do të kërkojë të konfiskojë disa nga pasuritë e Trump, nëse ai nuk mund të mbulojë faturën nga vendimi i gjyqtarit  Arthur Engoron më 16 shkurt.

Engoron arriti në përfundimin se Trump gënjeu për vite me radhë për pasurinë e tij, ndërsa ndërtoi perandorinë e pasurive të paluajtshme që e çoi atë në maja dhe në Shtëpinë e Bardhë. Trump mohon gjithçka dhe është zotuar të apelojë.

“Nëse ai nuk ka fonde për të shlyer vendimin, atëherë ne do të kërkojmë mekanizmat e zbatimit të gjykimit në gjykatë dhe do t'i kërkojmë gjyqtarit që t'i sekuestrojë pasuritë e tij”,- tha James.

Aftësia e Trump për të paguar borxhet e tij ligjore në rritje është gjithnjë e më e errët pas humbjeve të njëpasnjëshme në sallën e gjyqit. 

Në janar, një juri e urdhëroi atë të paguante 83.3 milionë dollarë për shpifje ndaj shkrimtares E. Jean Carroll.

Trump pretendoi vitin e kaluar se ai ka rreth 400 milionë dollarë para të gatshme, rezerva që do të thaheshin nga dënimet e tij gjyqësore. 

Pjesa tjetër e vlerës së tij neto, për të cilën ai thotë se është disa miliardë dollarë, është e lidhur në fusha golfi, grataçela, së bashku me investime dhe prona të tjera.

Apeli i premtuar i Trump ka të ngjarë të ndalojë mbledhjen e parave të dënimit të tij ndërsa procesi do të vazhdojë. (Irma)