Bullgaria ratifikon marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë
2024-02-24 16:30:30

Flamujt e Shqiperise dhe Bullgarise (Foto Gazetaexpress)

Flamujt e Shqiperise dhe Bullgarise (Foto Gazetaexpress)

Asambleja Kombëtare e Bullgarisë ratifikoi marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë.

Marrëveshja bazohet në parimet e trajtimit të barabartë të personave, eksportit të përfitimeve dhe pensioneve, zbatueshmërisë së një legjislacioni në lidhje me detyrimin e sigurimit dhe grumbullimin e periudhave të sigurimit, shkruan “RTSH”.

Marrëveshja për Shqipërinë do të zbatohet për të gjithë legjislacionin në lidhje me skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore: përfitimet e sëmundjes për punonjësit; përfitimet e lehonisë për personat e punësuar dhe të vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit; përfitimet nga aksidentet dhe sëmundjet profesionale; pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe të të mbijetuarve për personat e punësuar dhe të vetëpunësuar si dhe punëdhënësit.

Marrëveshja për Bullgarinë do të zbatohet në lidhje me legjislacionin për sigurimet shoqërore publike për përfitimet e sëmundjes dhe lehonisë; përfitimet për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale; pensionet; pensionet për paaftësi për shkak të sëmundjes së përgjithshme; pensionet për paaftësi për shkak të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale; pensionet e të mbijetuarve. (Irma)