Shqipëria ratifikon marrëveshjen për programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore
2024-02-24 17:04:55

UT (Foto Telegraf.al)

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin që ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore.

Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit të lartë brenda sistemit të programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare, i referuar si CEEPUS IV, shkruan “ATSH”.

Palët nënshkruese të CEEPUS-it bashkëpunojnë nëpërmjet rrjeteve universitare, me tematikë specifike të një cilësie të lartë, duke ofruar kuadrin e duhur për lëvizshmërinë e studentëve, studentëve të doktoratës, kërkuesve, personelit akademik dhe personelit universitar.

Marrëveshja synon të avancojë në njohjen e periudhave të studimit jashtë shtetit, si edhe të kualifikimeve të arsimit të lartë ndërmjet universiteteve dhe nxitjen e zhvillimit të dimensionit të kurrikulës universitare të Evropës Qendrore.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Austrisë, Bullgarisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Republikës së Çekisë, Hungarisë, Moldavisë, Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, për programin e shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare CEEPUS IV, është nënshkruar nga palët më 20 shtator 2023.

Kjo marrëveshje është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026. Vizioni i Ministrisë shqiptare të Arsimit synon ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, i cili trajton me sukses nevojat e personelit të institucioneve të arsimit të lartë, studentëve etj., duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë dhe me respekt, bazuar në diversitetin e tyre. (Irma)