Ministri Mete: Gjatë vitit 2023 pati përmirësim të deficitit të skemës së pensioneve
2024-02-23 16:45:15

Pensionet (Foto Rtsh)

Ministri shqiptar i Financave, Ervin Mete, deklaroi se gjatë vitit të kaluar pati përmirësim të ndjeshëm të deficitit të skemës publike të pensioneve. Sipas tij, të ardhurat nga kontributet u rritën me ritme shumë më të larta se shpenzimet për pagesat e pensioneve.

Ministri Mete bëri të ditur se kontributet e mbledhura në skemën e sigurimeve shoqërore për 2023-shin arritën në 5.7% të PBB-së, duke ulur ndjeshëm deficitin e skemës, në afro 0.8% të PBB-së, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, shkruan “RTSH”.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se të ardhurat nga sigurimet shoqërore arritën në 124.6 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar, me rritje vjetore prej 18%, ndërsa shpenzimet për skemën e pensioneve në të njëjtën periudhe u rritën me 4%.

Rritja e të ardhurave solli rënie të deficitit të skemës së pensioneve në një vlerë prej 45.6 miliardë lekë, 20% më e ulët se në vitin 2022.

Deficiti i skemës së pensioneve është ndihmuar nga rritja e të ardhurave me ritme dyshifrore. Të ardhurat u nxitën nga shtimi i punësimit, rritja e pagës minimale dhe rritja e pagave në të gjitha nivelet vitin e kaluar. Në anën tjetër presionet mbi shpenzimet mbeten të ulëta pasi gjithnjë e më shumë pensionistë nuk po plotësojnë kriteret për pension të plotë.

Për të përfituar pension të plotë pleqërie në vitin 2023 duheshin 37.5 vite pune me sigurime të paguara, por ata që dolën në pension kishin mesatarisht vetëm 27 vite pune me sigurime. Personat që dolën në pension në vitin 2012 kishin paguar mesatarisht 34 vite sigurime dhe në vitin 2023, vetëm 27.

Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni. (Irma)