Gjykata Kushtetuese prezanton udhërrëfyesin e parë të jurisprudencës për ankimimin individual
2024-02-23 16:40:11

Gjykata Kushtetuese (Foto Rtsh)

Gjykata Kushtetuese në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, prezantuan udhërrëfyesin e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese për ankimin kushtetues individual, raporton “RTSH”.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaroi se realizimi i kësaj guide ishte një domosdoshmëri dhe një instrument i munguar në drejtësinë kushtetuese shqiptare.

“Udhërrëfyesi përbën një dëshmi të pasurisë kombëtare të mendimit juridik kushtetues të materializuar në vendimet e gjykatës. Shumë prej tyre kanë vlera të padiskutueshme historike dhe shumë të tjera përbëjnë gurë themeli në të drejtën shqiptare, duke kontribuuar qenësishëm në zhvillimin e saj”,- tha Zaçaj.

Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, vuri në dukje rëndësinë e kësaj guide dhe theksoi mbështetjen e OSBE-së për Gjykatën Kushtetuese, si dhe angazhimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje.

Udhërrëfyesi synon të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për rritjen e aksesit të qytetarëve në gjykatë dhe për mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë, të sistemit gjyqësor, avokatë, akademikë e profesionistë të së drejtës, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtarë partnere.  (Irma)