Banka e Shqipërisë: Rritja ekonomike në vitin 2023 u nxit nga turizmi dhe investimet
2024-02-23 14:29:48

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Banka e Shqiperise (Foto ATSH)

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se vendi pati një ecuri të mirë ekonomike, duke u renditur edhe të dytët në rajon. Sipas të dhënave të BSH-së, cituar nga “ATSH”, në tremujorin e tretë 2023 ekonomia shqiptarë pati një rritje me 3.5% ndërsa Serbia me 3.6% me një ndryshim minimal.

Banka Qendrore njofton se gjatë vitit 2023 ekonomia shqiptare shfaqi një rritje të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të punësimit e të pagave dhe një trend rënës të inflacionit, i cili është theksuar në janar të këtij viti duke u ulur ne 3.4%.

Rritja ekonomike u nxit nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i të ardhurave nga turizmi, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Në aspektin makroekonomik, ajo u mbështet nga përmirësimi i besimit të biznesit e të konsumatorit, si dhe nga rritja e interesit të të huajve për shërbimet e turizmit shqiptar.

E njëjta tendencë parashikohet që të vijojë për ekonominë shqiptare edhe gjatë këtij viti. Sektori i turizmit pritet të mbetet një shtyllë e rëndësishme për ekonominë shqiptare. (Irma)