Në Gjermani fillojnë furnizimet e para të rregullta me dronë
2024-02-23 17:49:24

Dronet gjermane (Foto Panorama)

Në Gjermani ka filluar shërbimi i parë i rregullt i dërgesave me dronë. Linja e rregullt ka nisur në landin e North Rhine-Westphalia-s, shkruan “Panorama”.

Në Lüdenscheid ka filluar nga puna linja e parë e fluturimeve të Gjermanisë me dronë, për qëllime logjistike. Kjo u njoftua nga dy kompanitë e përfshira, “Third Element Aviation” dhe “Koerschulte Group”.

Kjo është hera e parë në Gjermani që Zyra Federale e Aviacionit jep një licencë për këtë lloj linje të fluturimeve të planifikuara komerciale dhe plotësisht të automatizuara me dron.

Siç njoftuan kompanitë e përfshira, Zyra Federale e Aviacionit e dha autorizimin pas dy vitesh fluturimesh testuese.

Dronët e transportit, të zhvilluar posaçërisht për këtë qëllim, fillimisht do të dërgojnë deri në 80 pako në ditë për klientët e një kompanie të Lüdenscheidit, që furnizon pjesë për industri dhe tregti.

Një dron i vetëm mund të mbajë deri në 6.5 kilogramë. (Irma)