OSHEE: Numri i impianteve fotovoltaike vetëprodhuesve të energjisë arriti në janar në 1760
2024-02-23 16:43:51

Panele diellore (Foto Rtsh)

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se në janar numri i subjekteve që kanë instaluar impiante fotovoltaike për vetëkonsum arriti në 1760. Kapaciteti i instaluar i tyre llogaritet në rreth 160 MW.

Sipas OSHEE-së, kategoria e vetëprodhuesve përbëhet kryesisht nga bizneset në treg të lirë, të cilët për të reduktuar faturat e tyre të energjisë janë nxitur ndër vite të përballojnë një pjesë të konsumit nga prodhimi i impianteve të tyre.

Sipas kuadrit ligjor, çdo subjekt i interesuar që plotëson kushtet e nevojshme, mund të instalojë dhe të lidhë në rrjet një impiant fotovoltaik që nuk duhet të kalojë kapacitetin 500 kWp.

Sasia e energjisë që prodhohet nga ky impiant mund të përdoret nga biznesi dhe tepricat, kur ka mund të hidhen në rrjet dhe të përdoren nga biznesi në një moment të dytë kur nevoja për konsum është me e lartë se prodhimi.

Interesi më i lartë mbetet nga bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt dhe ato në 20 kilovolt që janë aktualisht në treg të lirë si efekt i procesit të liberalizimit, por kërkesë për projekte të ngjashme ka edhe nga bizneset e lidhur në tension më të ulët si 10 kv dhe 6 kv. (Irma)