Lituania mbyll dy pika të tjera kufitare me Bjellorusinë
2024-02-23 15:34:25

Kufiri Lituani-Bjellorusi (Foto Rtsh)

Qeveria në Lituani njoftoi mbylljen e dy pikave të tjera kufitare me Bjellorusinë fqinje, për arsye sigurie. Pikat e kontrollit në Lavoriskes dhe Raigardas do të mbyllen më 1 mars deri në një njoftim tjetër, shkruan “RTSH”.

Tani, vetëm dy nga gjashtë pikat e kalimit përgjatë kufirit pothuajse 680 kilometra të gjatë midis Lituanisë, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe fqinjit të saj Bjellorusi do të mbeten të hapura.

Ministrja e Brendshme, Agne Bilotaite tha se masa synon të sigurojë kontrolle më të mira mbi fluksin e mallrave, transportit dhe njerëzve përtej kufirit dhe të parandalojë përpjekjet për të importuar dhe eksportuar mallra të sanksionuara dhe kontrabandë.

Në verën e vitit 2023, qeveria lituane mbylli pikat e kalimet Sumskas dhe Tverecius. Tani, vetëm pikat e kontrollit Medininkai dhe Salcininkai mbeten të hapura, por këmbësorët dhe çiklistët nuk do të mund ta kalojnë më kufirin në këto pika. (Irma)