Rusia: Nuk planifikojmë të nisim armë bërthamore në hapësirë
2024-02-22 15:35:05

CFP

CFP

Rusia nuk ka vendosur dhe nuk planifikon të nisë armë bërthamore në hapësirë, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Serghei Shoigu.

Alarmi për aftësitë e reja ushtarake të Rusisë në hapësirë u ngrit ditët e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “ATSH”.

Rusia dhe SHBA-ja janë dukshëm ndër fuqitë më të mëdha bërthamore në botë. Arsenali i tyre së bashku përbën rreth 90 për qind të armëve bërthamore të të gjithë botës. Të dyja vendet kanë satelitë të avancuar ushtarakë që sillen në orbitë rreth Tokës.

Në vitet e para të Luftës së Ftohtë, pasi Rusia priu në garën e hapësirës dhe të dyja palët zhvilluan raketa balistike interkontinentale, Perëndimi propozoi një traktat për t’i bërë të jashtëligjshme armët bërthamore në hapësirë.

Në vitin 1967 u arrit Traktati i Hapësirës, i cili ndalon vendosjen e çfarëdo arme të shkatërrimit në masë brenda orbitës, apo në hapësirë. (Elona)