Paketa e Sigurisë në shkolla, ministri Balla dhe drejtori i “TikTok” takim me nxënësit
2024-02-22 10:22:42

Ministri Balla (Foto Rtsh)

Ministri Balla (Foto Rtsh)

Paketa e sigurisë në shkolla po fokusohet edhe te vigjilenca kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, së bashku me Jakub Olek, drejtor i TikTok-ut për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë zhvilluan një seancë pyetje-përgjigje me nxënës të shkollave të mesme të Tiranës.

Në fjalën e tij, ministri Balla tha se çdo qytetar përdorues të ndiqet me prioritet dhe abuzuesve t’u bëhet e qartë se tani është më shumë e thjeshtë për t’i gjetur dhe për t’i vendosur me përgjegjësi përpara ligjit, citon “RTSH”. Ministri Balla u shpreh se jemi në kohën e duhur për të rritur vigjilencën sa i përket një sërë fenomenesh që ndodhin çdo ditë, që kanë të bëjnë me dhunën online, me shantazhin brenda apo jashtë shkollës.

Përfaqësuesi i TikTok-ut shtoi se në platformë nuk tolerohet asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje apo bullizmi. Nisur nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, të cilat ai i cilësoi si shumë të trishtueshme, Olek deklaroi se janë duke diskutuar për të përmirësuar platformën.

“Në platformë nuk duam asnjë lloj forme dhune, gjuhë urrejtjeje, bullizmi ose dhunë ndaj grave. Kjo është diçka që nuk ka vend në platformën tonë. Ngjarjet e fundit në Shqipëri kanë qenë shumë të trishtueshme, sigurisht ne i kemi parë me shumë kujdes dhe kemi diskutuar në ekip se si mund të përmirësojmë platformën”,- u shpreh përfaqësuesi i lartë i kompanisë.

Ai tha se numri i përdoruesve të rrjetit po rritet në mënyrë të shpejtë, por Olek pohoi se TikTok-u, nga ana tjetër, ka mbi 40 mijë punonjës të angazhuar për sigurinë e platformës. (Elona)