Kryeministri shqiptar: Koha për armëpushim në Gaza, Turqia pjesë e vendeve garante për lirimin e pengjeve
2024-02-22 14:32:50

Rama dhe Erdogan (Foto ATSH)

Rama dhe Erdogan (Foto ATSH)

Kryeministri shqiptar Edi Rama e quan Turqinë një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e së nesërmes për Gazën dhe për Izraelin.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës në Ankara, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi rolin e rëndësishëm të Turqisë në konfliktin mes Izraelit dhe Gazës, por edhe konfliktit në Ukrainë.

Rama tha se është koha për një armëpushim në Gaza, që duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar nga një forcë e përbashkët e pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë, shkruan “ATSH”.

“Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë, së bashku me 5 vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë dhe Egjiptin”,- theksoi Rama.

Në mbyllje të konferencës, Rama falënderoi qeverinë e Turqisë për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me Shqipërinë. “Dua të falënderoj pa diskutim dhe të gjithë ministrat që, duke ndjekur frymën dhe drejtimet që u dhanë në mbledhjen e shkuar që ne bëmë këtu në Ankara, kanë garantuar që ky bashkëpunim të ketë një thellim jashtëzakonisht të rëndësishëm struktural dhe që të na japë shumë dëshirë për ta thelluar dhe shumë optimizëm për të ardhmen”,- përfundoi Rama.(Elona)