Ministrja Manastirliu shpall 12 marsin datën e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe
2024-02-22 14:28:32

Ministrja e Arsimit (Foto Rtsh)

Ministrja e Arsimit (Foto Rtsh)

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, shpalli datën e fillimit të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta, i cili nis më 12 mars në të gjitha shkollat e vendit.

Bashkë me nxënës të shkollës “Mësonjëtorja e parë” në Muzeun e Arsimit në Korçë, ministrja Ogerta Manastirliu tha se, mes shumë aktiviteteve në Vitin e Gjuhës Shqipe, është edhe Konkursi Kombëtar që do të nisë në muajin mars, shkruan “RTSH”.

“Ky konkurs, si një prej aktiviteteve më të mëdha të vitit shkollor, ka një rëndësi të veçantë për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, pasi ai jo vetëm përcjell bukurinë dhe pasurinë e gjuhës tonë shqipe, por shërben dhe si një platformë për të mbajtur gjallë e lartësuar flakën e dashurisë dhe vlerësimit për gjuhën amtare, si thelbi i identitetit tonë kombëtar”, -tha ministrja Manastirliu.

Ky konkurs, sipas ministres, synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë te fëmijët që në moshë të vogël, duke i motivuar për të zbuluar thellësitë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Me pjesëmarrjen e mbi 8 mijë nxënësve nga të gjitha shkollat 9-vjeçare, konkursi do të zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet. Finalja e madhe do të shpallet në një festë të dijes, si një vëmendje ndaj gjuhës shqipe si pasuria më e madhe që kemi trashëguar brez pas brezi dhe po ua trashëgojmë edhe fëmijëve shqiptare në diasporë. (Elona)