Censi i Bujqësisë - INSTAT në fazën përgatitore bashkëpunon edhe me FAO-n
2024-02-22 14:49:21

Censi i bujqesise (Foto Rtsh)

Censi i bujqesise (Foto Rtsh)

Insituti i Statistikave ka nisur fazën përgatitore për implementimin e censit të bujqësisë. Drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, gjatë një vizite që Komisioni i Ekonomisë zhvilloi në këtë institut, deklaroi se ky cens do të bazohet në përgjigjet e pyetësorin të censit të popullsisë dhe banesave, nga pjesë që i përkasin bujqësisë. Po ashtu, informacione shtesë do të jenë edhe 4 regjistra të vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë, shkruan “RTSH”.

“Si anketues do të përfshihen edhe studentë nga Universiteti Bujqësor të mbështetur edhe nga anketues të trajnuar”,- theksoi Dhuli.

Censi i bujqësisë do të sigurojë informacione mbi module të veçanta në të gjitha fermat bujqësore që kanë të bëjnë me: ujitjen, praktikat e menaxhimit të tokës, makineritë, pajisjet dhe pemëtarinë etj.

Censi i bujqësisë do të sigurojë gjithashtu të dhëna për strukturën e bujqësisë, veçanërisht për njësitë e vogla administrative.

Për të realizuar këtë cens, INSTAT-i ka bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Organizatën e Ushqimit dhe Agrikulturës të Kombeve të Bashkuara. (Elona)