Ministri Mete: Qeveria, 4 miliardë lekë në mbështetje të sektorit fason
2024-02-22 15:14:16

Ministri Mete (Foto Atsh)

Ministri Mete (Foto Atsh)

Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024. Ministri i Financave, Ervin Mete, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë, se përmes këtij Akti Normativ qeveria do t’i vijë në ndihmë sektorit fason, me instrumentin e garancisë së re shtetërore prej 4 miliardë lekësh, në mënyrë që ky sektor të përballojë efektet e goditjeve ekonomike, të përmirësojë proceset teknologjike dhe të rrisë më tej produktivitetin, shkruan “ATSH”.

“Përmes këtij Akti Normativ po mbështesim një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve të ardhurave si pasojë e faktorëve të jashtëm. Ky instrument synon mbështetjen e këtij sektori nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”,- deklaroi ministri Mete.

Sipas tij, Akti Normativ parashikon reflektimin në buxhet të riorganizimit të ministrive sipas fushave të reja të përgjegjësisë, ashtu sikurse riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar, financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së qeverisë për këtë sektor. (Elona)