Fermerët protestojnë me traktorë në qendër të Athinës
2024-02-22 15:26:14

Greqi (Foto ATSH)

Greqi (Foto ATSH)

Fermerët e mbledhur nga thuajse gjithë Greqia protestuan në sheshin “Sintagma”, në Athinë, kundër çmimeve të larta të prodhimit dhe për të kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria, shkruan “ATSH”.

Sheshi u mbush plot me traktorë dhe furgonë bujqësorë. Fermerëve iu bashkuan edhe federata, shoqata dhe sindikata nga sektorë të ndryshëm për t’i mbështetur.

“Nëse nuk zgjidhen problemet e sektorit të bujqësisë, protestat do të vazhdojnë”,- deklaroi kreu i Federatës Unifikimi të Sindikatave Bujqësore të Kardicës, Kostas Tzelas.

Sipas policisë greke, rreth 130 traktorë u mblodhën në qendër të kryeqytetit grek për të marrë pjesë në demonstratën e fermerëve, para Parlamentit grek. (Elona)