Ministri gjerman i Mbrojtjes: Misioni detar në Detin e Kuq, më i rrezikshmi ndër dekada
2024-02-21 14:26:42

Anije në Detin e Kuq (Foto RTSH)

Dislokimi i planifikuar i një fregate gjermane në Detin e Kuq është një nga misionet më të rrezikshme të Marinës gjermane ndër dekada, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në anijen e vendosur në Kretë.

“Dislokimi, i cili është pjesë e një misioni detar të BE-së për të mbrojtur anijet nga militantët Houthi në Jemen, është një shenjë se Gjermania po merr përgjegjësinë ndërkombëtare”, - tha Pistorius, duke theksuar se nuk është ekzagjerim të thuhet se ky është dislokimi më serioz, më i rrezikshëm i Marinës ndër dekada.

“Bëhet fjalë për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar, lirinë dhe sigurinë në dete, por edhe për stabilizimin e rrugëve tregtare dhe të gjithë rajonit”,- shtoi ministri.

Militantët Houthi nga Jemeni kanë sulmuar anijet në rajon duke arsyetuar se i kishin kryer për hakmarrje pas veprimeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, bën të ditur “RTSH”.

Ministri Pistorius nuk përjashtoi një sulm të drejtpërdrejtë nga Houthi në fregatën gjermane. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se ky ishte një operacion mbrojtës.

“Ne po udhëtojmë vetëm me fregatën për të shmangur sulmet me dronë, me raketa, çfarëdo qoftë në anijet që kalojnë këtu”,- tha ministri gjerman i Mbrojtjes. (Elona)