Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk bëjnë dot pushime
2024-02-21 13:09:49

Turiste (Foto Panorama)

Mbi 51% e shqiptarëve nuk kanë bërë asnjë udhëtim për të qëndruar të paktën një natë larg shtëpisë së tyre për qëllime personale pushimi, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat-i. Për Shqipërinë, informacioni është i disponueshëm për vitin 2021.

Shqipëria renditet e teta në listën e vendeve me përqindjen më të lartë të popullsisë që nuk bën pushime, shkruan “Panorama”.

Në Europë, 72% e bullgarëve nuk kanë bërë pushim në vitin 2022. Edhe rumunët janë pak a shumë në të njëjtat nivele, me 71.8%. Më pas renditen italianët me 59.3%, grekët me 56%, portugezët me 54.5%, estonezët me 53.4%, kroatët me 51.8%.

Ata që udhëtojnë më shumë jashtë shtëpisë janë norvegjezët, ku vetëm 10.9% e popullsisë nuk lëviz për pushime, të ndjekur nga suedezët me 17.8%.

Afro 70% e shqiptarëve nga 15-64 vjeç pohojnë se nuk shkojnë për pushime për arsye financiare, niveli më i lartë në Europë. 3.2% cituan arsyet shëndetësore, 6.1% ato familjare, ndërsa 16.8% për shkak se ishin të angazhuar me punë apo me studime. (Elona)