Ministri i Jashtëm i Brazilit: I papranueshëm reagimi izraelit ndaj presidentit Lula
2024-02-21 12:54:07

Ministri i Jashtëm brazilian, Mauro Vieira (Foto ATSH)

Ministri i Jashtëm brazilian, Mauro Vieira, në një bisedë me ambasadorin izraelit në Brazil, Daniel Zonshine, shprehu shqetësimin për qëndrimin e qeverisë izraelite, që e shpalli presidentin Luiz Inacio Lula da Silva “persona non grata”.

Takimi u zhvillua të hënën në Rio de Zhaneiro, ku Vieira po përgatitet për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s.

Lula e kishte krahasuar fushatën ushtarake izraelite në Gaza, e ndërmarrë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, me veprimet e Adolf Hitlerit dhe Holokaustit.

Vieira thuhet se përdori një ton miqësor, por të vendosur në mbrojtje të qëndrimit të mbajtur nga Brazili, shkruan “ATSH”.

“Thirrja e ambasadorit brazilian në Izrael, Frederico Meyer dhe qortimi publik nga ministri i Jashtëm izraelit gjatë vizitës në muzeun e Holokaustit u panë nga Ministria e Jashtme braziliane si një spektakël nga qeveria “Netanyahu” dhe diçka e papranueshme dhe krejtësisht e huaj për praktikat e diplomacisë”,- raportuan burimet.

Sipas burimeve, ambasadorit brazilian i është bërë “pritë” në Tel Aviv. Pas takimit, Meyer u thirr në Brazilia për konsultime. (Elona)