Kryeministri shqiptar vizitë zyrtare në Turqi, pritet nga presidenti Erdogan
2024-02-21 16:10:08

Rama - Erdogan (Foto Rtsh)

Rama - Erdogan (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi një vizitë në Turqi, ku u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan me ceremoni zyrtare. 

Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës turke njoftoi se, në kuadër të vizitës, në Ankara u zhvillua takimi i parë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, nën kryesimin e presidentit turk dhe kryeministrit shqiptar. Në mbledhjen e Këshillit u shqyrtuan aspektet e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri dhe u diskutuan hapat që mund të ndërmerren për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, shkruajnë mediet shqiptare.

“Gjatë diskutimeve me Shqipërinë, aleatin e NATO-s, u shkëmbyen ide mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan, mbi bazën e mirëkuptimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama vizitoi Mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, në nderim të liderit të luftës turke për pavarësi dhe themeluesit e presidentit të parë të Republikës së Turqisë. 

Së bashku me delegacionin që e shoqëron, kryeministri Edi Rama ka shprehur nderimet për Mustafa Kemal Ataturkut, ku dhe la një mesazh në librin e shënimeve në mauzole.

Kryeministri Rama shoqërohej në këtë vizitë zyrtare në Turqi nga delegacioni qeveritar shqiptar i përbërë nga: zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj; ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; si dhe ministrja i Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. (Elona)