Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin
2024-02-21 12:41:38

Foto RTSH

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Zbardhja e këtij vendimi i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, sipas së cilës do të ngrihet një kamp në Gjadër të Shëngjinit, ku do të strehohen emigrantët deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit, shkruan “RTSH”.

Në përgjigje të kërkesës së një grupi deputetësh opozitarë, sipas të cilëve protokolli mes dy vendeve ishte në shkelje të Kushtetutës së vendit dhe konventave për të drejtat e njeriut ku Shqipëria është palë, Gjykata Kushtetuese thekson në vendim se protokolli për migracionin është në pajtim me Kushtetutën, duke lejuar ratifikimin e tij nga Kuvendi.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese çmon në vendim se negocimi dhe firmosja e marrëveshjes nga kryeministri Edi Rama është i rregullt.

Lidhur me pretendimet e deputetëve të opozitës për shkelje të të drejtave të njeriut, Gjykatat Kushtetuese thotë me vendimin e saj se protokolli për emigracionin ofron mbrojtje juridiksionale, duke i konsideruar pretendimet e mësipërme si të pabazuara.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese thekson se kjo marrëveshje nuk ndryshon territorin e Shqipërisë. Pavarësisht se kjo marrëveshje parashikon kalimin në përdorim të dy zonave, nga shteti shqiptar te autoritetet italiane, sërish këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar. (Elona)