Palestina kundërshton vërejtjet e kryeministrit izraelit mbi kontrollin e sigurisë izraelite në Bregun Perëndimor dhe Gaza
2024-02-21 16:28:31

Netanyahu (Foto Almayadeen)

Netanyahu (Foto Almayadeen)

Autoriteti Palestinez hodhi poshtë vërejtjet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për kontrollin e sigurisë së Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, duke e konsideruar atë një sfidë për legjitimitetin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe të Paqes, shkruan “Xinhua”.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i Presidencës palestineze, tha në një deklaratë për shtyp se këto politika izraelite nuk sjellin siguri dhe stabilitet për askënd në vend apo në rajon, duke paralajmëruar kundër vazhdimit të kësaj qasjeje shkatërruese që do t'i përkeqësojë gjërat.

“Palestina e kundërshton këtë politikë izraelite që sfidon botën”,- tha ai, duke i bërë thirrje qeverisë amerikane që “të detyrojë” Izraelin që së pari të ndalojë konfliktin, sepse e drejta për vetëvendosje për popullin palestinez është një vijë e kuqe.

Netanyahu tha të hënën se Izraeli do të mbajë kontrollin e tij të sigurisë mbi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

“Në ditët e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të presionit ndaj nesh në mënyrë të njëanshme për të imponuar krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte ekzistencën e shtetit të Izraelit. Njohja e një shteti palestinez në këtë fazë do të ishte një shpërblim për terrorizmin dhe do të minonte shanset për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje”,- tha Netanyahu në një deklaratë video.

Konflikti palestinezo-izraelit nuk ka treguar asnjë shenjë zbutjeje në vitet e fundit, pasi bisedimet e drejtpërdrejta të paqes midis dy palëve ngecën në vitin 2014, pas mosmarrëveshjeve mbi vendbanimet izraelite dhe njohjes së një shteti palestinez. (Elona)