OBSH: Spitali Nasser në Gaza ka dalë jashtë funksionimit
2024-02-20 14:59:35

Spitali ne Gaza (Foto Rtsh)

Spitali ne Gaza (Foto Rtsh)

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se spitali Nasser i Gazës ka pushuar së funksionuari pas sulmeve izraelite.

Trupat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) hynë në kompleks të enjten, duke thënë se Inteligjenca tregoi se pengjet e marra nga Hamasi po mbaheshin atje. OBSH-ja njoftoi se nuk ishte lejuar të hynte në vend për të vlerësuar situatën, shkruan “RTSH”.

IDF e ka përshkruar operacionin e saj në Nasser si të saktë dhe të kufizuar dhe ka akuzuar Hamasin se përdor në mënyrë cinike spitalet për terror.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale, se spitali Nasser në Gaza nuk është më funksional, pas një rrethimi njëjavor të ndjekur nga bastisja e vazhdueshme.

“Ekipi i OBSH-së nuk u lejua të hynte në spital për të vlerësuar kushtet e pacientëve dhe nevojat kritike mjekësore, pavarësisht se mbërriti në kompleksin spitalor për të ofruar karburant së bashku me partnerët”,- tha Ghebreyesus.

Sipas OBSH-së, ka ende rreth 200 pacientë në spital, ku të paktën 20 duhet të referohen urgjentisht në spitale të tjera për të marrë kujdes shëndetësor.

Luftimet janë ndezur rreth spitalit Nasser për javë të tëra, ku Izraeli ka pretenduar vazhdimisht se Hamasi po përdor spitalet, së bashku me shkollat, si baza operative.

Ushtria izraelite bëri të ditur se ka vrarë rreth 20 luftëtarë të Hamasit dhe ka sekuestruar armë të shumta në zonën e spitalit. (Irma)