Shqipëria dhe Turqia thjeshtojnë procedurat për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore
2024-02-20 11:38:25

Mbrojtja shoqerore (Foto Oranews)

Shqipëria dhe Turqia u angazhuan për kryerjen në mënyrë të shpejtë dhe pa kosto të komunikimit në zbatim të marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore mes dy vendeve, shkruan “ATSH”.

Përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor zhvilluan një takim online me përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Turqi.

Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen shoqërore u dakordësua për shkëmbimin elektronik të formularëve të komunikimit, gjë që do të garantojë transmetim të sigurt të dokumentacionit, shmangien e vonesave, si dhe reduktim të kostove.

Nga hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet ISSH-së dhe SGK-së turke janë ndjekur 737 praktika.

Shqipëria nënshkroi në fillim të këtij muaji edhe me Italinë marrëveshjen për njohjen e sigurimeve shoqërore nga e cila përfitojnë mbi 550 mijë shtetas shqiptarë.

Marrëveshje të ngjashme deri tani janë nënshkruar me 16 vende. 17 marrëveshje për mbrojtjen sociale janë në proces negocimi me 17 vende, ndërsa 3 marrëveshje me Indinë, Izraelin dhe Arabinë Saudite janë në proces vlerësimi. (Fatosi)