G7: Nevojitet veprim urgjent për adresimin e krizës humanitare në Gaza
2024-02-20 11:53:33

Gaza (Foto Oranews)

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë shprehur shqetësim të thellë për një aksion të mundshëm ushtarak izraelit në Rafah.

“Ata bënë thirrje për veprime urgjente për të adresuar krizën katastrofike humanitare në Gaza, veçanërisht gjendjen e rëndë të civilëve të strehuar në Rafah dhe shprehën shqetësim të thellë për pasojat potencialisht shkatërruese mbi popullsinë civile të operacionit të mëtejshëm ushtarak të Izraelit në shkallë të plotë në atë zonë”,- njoftoi Ministria e Jashtme e Italisë, pas takimit të parë të mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, shkruan “ATSH”.

Sipas deklaratës, ministrat e Jashtëm theksuan nevojën për qasje të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare në të gjitha format e saj në Rripin e Gazës, si dhe shprehën shqetësim për rrezikun e zhvendosjes me forcë të civilëve palestinezë jashtë Gazës. (Fatosi)