SHBA përgatit projekt-rezolutë për armëpushim të përkohshëm në Gazë
2024-02-20 17:00:12

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shtetet e Bashkuara po qarkullojnë një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që parashikon një armëpushim të përkohshëm në Gazë, pasi hodhi poshtë një projekt-rezolutë të mbështetur nga vendet arabe. 

Projekt-rezoluta amerikane të cilën e ka siguruar agjencia Associated Press, parashikon një armëpushim të përkohshëm "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe kërkon lirimin e të gjitha pengjeve që u morën gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, si edhe bën thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve në dërgimin e ndihmave humanitare. 

Sipas propozimit amerikan, të dyja këto veprime "do të ndihmonin në krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve", siç kërkohet në një rezolutë të miratuar nga këshilli më 22 dhjetor. Po ashtu në këtë propozim bëhet thirrje që “të mos vazhdojë në rrethanat aktuale” ofensiva e planifikuar nga Izraeli në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë. Sipas projekt-rezolutës amerikane zhvendosja e mëtejshme e civilëve, " përfshirë ndoshta në vendet fqinje", një referencë për Egjiptin, do të kishte implikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale.