Ministri Balla: Të fuqizojmë kapacitetet në përballjen me shantazhet në rrjetet sociale
2024-02-20 11:42:32

Ministri Balla (Foto Oranews)

Ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, bëri të ditur se Policia e Shtetit po bashkëpunon me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve në përballjen me krimet kibernetike, njofton “ATSH”.

Reagimi i ministrit Balla vjen pas arrestimit nga Policia e Tiranës të një 27-vjeçari, i cili shantazhonte online të miturën 15-vjeçe. Gjatë operacionit policor, u sekuestruan qindra pamje filmike në rrjetet sociale.

“Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të shtuar vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online”, shkruan ministri Balla.

Ai bëri të ditur se po bashkëpunohet me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve në përballjen me këtë formë kriminaliteti.

Ministri Balla e shikon si domosdoshmëri bashkëpunimin me publikun. (Fatosi)