Kina dhe Spanja vlerësojnë partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh
2024-02-20 16:36:29

Foto MPJ-ja

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i cili gjendet për një vizitë në Spanjë, shprehën të hënën vlerësim për partneritetin e gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve.

Wang Yi tha se Kina është e gatshme të mbajë shkëmbimet e nivelit të lartë me Spanjën, të forcojë sinergjinë e strategjive të zhvillimit, të thellojë bashkëpunimin me dobi reciproke, të shtojë shkëmbimet njerëzore dhe të nxisë ngritjen e marrëdhënieve të të dy vendeve në një lartësi të re.

Nga ana e tij, Pedro Sanchez vuri në dukje se shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë ndërmjet Spanjës dhe Kinës u kanë dhënë një impuls të fortë marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Spanja i kushton rëndësi të madhe partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh, çmon lart masat pozitive të marra nga Kina për të lehtësuar shkëmbimet ekonomike e tregtare dhe njerëzore ndërmjet të dy vendeve dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të eksploruar më tej potencialin për bashkëpunim, tha ai. 

Kreu i qeverisë spanjolle vlerësoi gjithashtu rolin konstruktiv të Kinës në çështjet ndërkombëtare dhe kontributin e saj në rritjen globale, duke mbështetur zhvillimin e marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit Evropë-Kinë.

Përballë sfidave serioze në gjendjen ndërkombëtare, Evropa dhe Kina duhet të mbështesin së bashku rolin qendror të Kombeve të Bashkuara dhe të luajnë një rol aktiv në nxitjen e paqes e të qëndrueshmërisë dhe në përmirësimin e qeverisjes globale, shtoi ai. 

Ndërsa Wang vuri në dukje që Kina e konsideron BE si një forcë të rëndësishme në procesin drejt arritjes së një shumëpolariteti më të madh dhe mbështet integrimin evropian, zhvillimin e rritjen e BE-së, si edhe realizimin e autonomisë strategjike.