Kryeministrja e Estonisë: Rusia s’më frikëson dot me urdhërarreste
2024-02-20 14:26:50

Kryeministrja e Estonise (Foto Rtsh)

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, deklaroi se urdhërarresti i lëshuar ndaj saj nga Rusia është një përpjekje për ta frikësuar atë.

Estonia, që dikur sundohej nga Rusai, tashmë anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë një mbështetëse e Ukrainës dhe për këtë arsye kryeministrja Kallas ka qenë nën vëzhgimin e Rusisë.

Policia ruse e futi atë dhe disa politikanë të tjerë të vendeve Baltike në listën e të kërkuarve për shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.

“Kjo ka për qëllim të më frikësojë dhe të më bëjë të përmbahem nga vendimet që përndryshe do të merrja. Por këto janë lojërat e Rusisë. S’ka asgjë befasuese dhe ne nuk kemi frikë”,- deklaroi Kallas.

Politikanët baltikë rrezikojnë të arrestohen nëse kalojnë kufirin rus, ndërsa shpallja e tyre në kërkim nuk ka pasoja konkrete.

Ndërkaq, profili i lartë i Kallasit ka krijuar spekulime në Bruksel se ajo mund të marrë postin e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, pas zgjedhjeve parlamentare.

Sipas saj, këto spekulime po kontribuojnë në agresivitetin e Rusisë ndaj saj.

“Është e vështirë të jesh popullore. Këtë e kanë parë edhe rusët dhe për këtë arsye kanë lëshuar urdhrin e arrestit për të theksuar vërtet argumentin më të madh kundër meje, se unë jam një provokim për Rusinë”, u shpreh ajo. (Fatosi)