Rritja e dhunës online, ministri Balla takon drejtorin e TikTok-ut
2024-02-20 15:28:17

Balla me perfaqesuesin e TikTok (Foto Rtsh)

Balla me perfaqesuesin e TikTok (Foto Rtsh)

Ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, priti të hënën në një takim drejtorin e “TikTok” për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek, njofton “RTSH”.

Ministri Balla i shprehu shqetësimet mbi ngjarjet e fundit dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Ai i ka kërkuar edhe informacion të detajuar mbi ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve.

Drejtuesi i “TikTok” informoi mbi masat që po ndërmerren për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve.

“Ministria e Brendshme po studion me vëmendje përmirësimet ligjore të ndërmarra edhe nga Bashkimi Europian, siç janë Akti i Shërbimeve Digjitale, Akti i Tregjeve Digjitale etj., për krijimin e një hapsire digjitale në Shqipëri ku të drejtat dhe detyrimet themelore të përdoruesve janë të mbrojtura dhe të përcaktuara qartë”,- deklaroi ministri Balla. (Fatosi)