Projektligji rus vë në shënjestër pronat e njerëzve që shpërndajnë lajme të rreme për ushtrinë
2024-02-20 14:22:56

Putin (Foto Euronewsalbania)

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të nënshkruajë një projektligj që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskojë pronat e personave që i dënon për shpërndarjen e qëllimshme të lajmeve të rreme për ushtrinë e Rusisë, njofton “Panorama”.

Kryetari i Dumës ruse thotë se ligji do të dënojë tradhtarët që jetojnë jashtë vendit dhe marrin qira nga pronat e tyre në Rusi.

Shkelje të tjera, siç janë mosrespektimi i urdhrit, ikja nga ushtria, thirrja për sanksione ndaj Rusisë dhe pjesëmarrja në veprimtari të një organizate të padëshiruar, po ashtu mund të dënohet me konfiskim të pronave.

Udhëheqësi opozitar rus, Dmitry Gudkov, tha se ligji i ri mund të interpretohet si të dëshirojë qeveria.

Sipas medias së pavarur ruse për të drejta të njeriut “OVD-Info”, tashmë janë hapur çështje ndaj 830 njerëzve për shkak të qëndrimit të tyre kundër luftës në Rusi. Rreth një e treta e këtyre rasteve përfshijnë akuza për shpërndarje të informacionit të falsifikuar për ushtrinë. (Fatosi)